Info per Kredi

Gjëra të rëndësishme për të ditur rreth kredisë

Kredia është paraja të cilën ju e huazoni nga banka me detyrim të kontraktuar duke konstatuar se ju do t’i ktheni ato me interes, të cilat paraqesin një shumë për shërbimin e kredisë. Para së gjithash kredia është barrë financiare dhe duhet t’i qaseni me përgjegjësi shumë të madhe. Para se të merrni kredi, ju duhet të siguroheni se shumën, të cilën do ta merrni, do të mund ta paguani nga të hyrat tuaja.

Nuk ka asgjë të keqe në marrjen e një kredie, por është keq në rast se banka aprovon kredinë e cila nuk do ta zgjidhë problemin tuaj, dhe do të jetë shumë më e madhe për ta paguar, do t’ju thellojë në borxh dhe si rezultat do të përkeqësohet gjendja juaj financiare. Në këtë pikë ne synojmë t’ju sqarojmë se cilat janë gjërat më të rëndësishme për ju përderisa vendosni të merrni kredi. Ju do të jeni në gjendje ta shihni ndryshimin mes kredisë, e cila ka efekt pozitiv, dhe kredisë, e cila mund ta thellojë borxhin tuaj më shumë. Pagesat e kredisë, apo më saktësisht kamatën të cilën klientët e paguajnë për shumën e azuar nga banka, janë një ndër burimet kryesore e të hyrave të bankës. Do të provojmë t’i paraqesim shpenzimet më të rëndomta, të cilat kanë të bëjnë me marrjen e një kredie, dhe të sqarojmë se si vlerësohen ato. Pagesat e kredisë bazohen në marrëdhënie reciproke: banka ju huazon juve para sot dhe ju duhet t’i ktheni ato nesër me interes.

Çfarë lloje të kredive janë në dispozicion?

Në qoftë se dëshironi të blini orendi të reja, televizor, apo ndonjë pajisje tjetër shtëpiake, kredia e cila ju përshtatet është kredia konsumuese. Kreditë konsumuese janë me afate kohore mjaft të shkurtra, deri në 3 vjet, të cilat aprovohen në bazë të pagës suaj dhe ju, pastaj, i paguani këto në baza mujore nga paga juaj me këste të barabarta. Numri më i madh i kredive konsumuese, në të vërtetë, nuk sjellin përmirësime të qëndrueshme në kushtet tuaja të jetës, pasi që ato shfrytëzohen për të blerë gjësende të cilat blerësit i sjellin kënaqësi afatshkurtër, dhe ka të ngjarë që do ta humbasin vlerën e tyre, madje para se ta shlyeni kredinë.

Çfarë duhet pasur parasysh para se ta përzgjedhni kredinë?

Siç mund të shihet nga më lart, ekziston një kategori e produkteve të kredisë të cilat ju mund t’i zgjedhni. Para se të përcaktoheni për kredi, janë disa elemente të rëndësishme që duhet t’i keni parasysh. Vlera e gjësendeve të blera duhet t’ju sjellin një lloj përfitimi juve dhe familjes suaj, të tilla si: dyer dhe dritare të izoluara më mirë, të cilat do t’i zvogëlonin shpenzimet e rrymës elektrike me kalimin e kohës dhe në këtë mënyrë do ta shlyeni kredinë me paratë e kursyera. Në qoftë se ju merrni një kredi konsumuese, e cila më së shpeshti shfrytëzohet për të blerë produkte konsumuese, ju nuk do të arrini ndonjë përfitim afatgjatë, dhe kjo është njëra nga arsyet pse ju duhet të mendoni dy herë para se të aplikoni për kredi konsumuese.

Shpesh ndodh që produktin që dëshironi ta blini nuk është i nevojshëm për momentin, dhe si rezultat ju nuk keni nevojë të merrni kredi, por mund të prisni deri në pagën e ardhshme apo të kurseni më shumë para. Kredia gjithmonë mund të duket si zgjidhja më e shpejtë dhe më e përshtatshme, por kjo nuk është gjithmonë e nevojshme. Ju duhet ta mbani në mend se kredia duhet të shlyhet dhe se detyrimi juaj nuk përfundon atëherë kur ju t’i blini gjësendet e dëshiruara, por vetëm atëherë kur ta shlyeni kredinë. Ndërkohë, gjësendi i blerë tashmë e ka humbur shumë vlerën e vet, ose koha e shfrytëzimit të tij mund të ketë kaluar, ose ju keni financuar diçka që ka kaluar për kohë të gjatë, p.sh. pushimi veror apo dimëror. Prandaj, ju duhet të vazhdoni pagimin e këtyre gjësendeve/shpenzimeve për shumë muaj më vonë. Përpos që duhet të keni parasysh qëllimin e kredisë, një gjë tjetër e rëndësishme që duhet të mbahet në mend është afati kohor i shlyerjes së kredisë. Në qoftë se ju e shfrytëzoni kredinë për të blerë një gjësend me afat të shfrytëzimit relativisht të shkurtër, atëherë afati kohor i shlyerjes së kredisë nuk duhet ta tejkalojë jetëgjatësinë e shfrytëzimit të produktit të cilin do ta blini.

Pra mendoni më shumë rreth kushteve të shlyerjes në afat sa më të shkurtër që mund ta menaxhoni. Përderisa keni parasysh këtë pikë, mos i harroni shpenzimet tuaja të përditshme, si: pagesa e faturave komunale, qiraja, si dhe planet e tjera afatshkurtra, të tilla si: udhëtimet, ditëlindjet, shpenzimet mjekësore e të tjera, të cilat ju, gjithashtu, keni nevojë t’i hiqni nga të hyrat tuaja mujore.

Para se të aplikoni për një kredi mbani mend këto gjëra:

Aftësia paguese e kredisë

Aftësia paguese e kredisë është aftësia për të paguar, sipas kushteve të rëna dakord, një shumë të caktuar parash brenda një periudhe kohore të caktuar. Aftësia paguese e kredisë së klientit nuk është e rëndësishme vetëm për bankën. Kryesisht është një tregues i mundësisë që ju keni për t’i përballuar detyrimet që rrjedhin nga kredia. Çdo bankë e përgjegjshme kontakton me ju për të përcaktuar qëllimet e kredisë që ju do të merrni dhe për të vlerësuar nëse kredia është e justifikuar. Sigurisht banka duhet t’i kontrollojë të gjitha motivet dhe të theksojë pasojat e mundshme të nënshkrimit të marrëveshjes së kredisë.

Cilat janë kostot e kredisë?

Një prej pjesëve më të rëndësishme të kontratës së kredisë i referohet shumës së interesit. Kur vlerësoni normën e interesit, merrni parasysh ndryshimin midis normës së interesit nominal dhe efektiv. Interesi nominal është përqindja e aplikuar mbi shumën e principalit dhe është shuma e interesit e paguar nga klienti në muaj ose në vit. Interesi nominal nuk përmban kostot shtesë të kredisë të cilatpërfshihen në normën e interesit efektiv. Interesi efektiv është një mënyrë për të paraqitur, në një shifër, të gjitha shpenzimet që u referohen kredive. Norma e interesit efektiv përfshin të gjitha tarifat dhe kostot që paguhen për të siguruar një kredi (kostot e sigurimit të kredisë, kostot e procesimit të aplikimit të kredisë etj.) duke marrë parasysh momentin kur ato ndodhin. Në rastin e një kontrate tipike kredie, norma e interesit efektiv ndikohet nga shumë faktorë: interesi nominal mujor, tarifat /komisionet, mënyra e shlyerjes dhe periudha e shlyerjes. Pa tarifa shtesë, norma e interesit efektiv është e barabartë me interesin vjetor nominal.

Një kredi mund të përfshijë disa kosto të tjera të cilat mund të ndikojnë gjithashtu në buxhetin tonë:
- Komisionet e mirëmbajtjes së llogarisë
- Kostot e kolateralit të kredisë
- Kostot afatshkurtra të financimit
- Në disa raste madje edhe sigurimi për borxhin aktiv.
Gjatë bashkëbisedimit me një këshillues banke, mund t’i kërkoni që të kryejë një përllogaritje të detajuar ku të pasqyrohen kushtet që i referohen kredisë së kërkuar. Ju keni të drejtën që të shlyeni kredinë para kohe, ndërsa bankës i jepet e drejta që të vendosë një tarifë për shlyerje të parakohshme. Kjo tarifë llogaritet në ditën e shlyerjes së plotë dhe aplikohet në varësi të kohës që ka kaluar që nga dita e marrjes së kredisë (kohëzgjatja e shlyerjes së kredisë). Kërkojini bankës t’ju japë informacion rreth vlerës së kësaj tarife kur plotësoni një aplikim kredie.

Një kontratë kredie duhet të përmbajë kushtet e kredisë dhe planin e pagesës. Ne ju këshillojmë që t’i kushtoni rëndësi të veçantë pjesëve në vijim të kontratës: valutës në të cilën lëshohet kredia, e cila përcakton normën e interesit për fondet e miratuara nga banka për ju. Një kujdes i veçantë duhet t’i kushtohet përcaktimit të normës së interesit fiks ose të ndryshueshëm. Normë interesi fikse do të thotë që kjo normë nuk mund të ndryshohet gjatë gjithë periudhës së shlyerjes, ndërkohë që interesi i ndryshueshëm varion në linjë me ndryshimet në tregun e parasë dhe zakonisht është i lidhur me EURIBOR. Gjithashtu duhet pasur kujdes në faktin nëse interesi llogaritet mbi shumën e kredisë së mbetur, d.m.th. shumën e kredisë aktive ose shumën në total të kredisë, e cila rrallë ndodh.

Plani i Pagesës është një dokument i cili përmban shumë kolona. Kolona e parë përmban datat e të gjitha kësteve mujore gjatë periudhës së shlyerjes së kredisë, kështu që në çdo kohë mund të dini shumën e aktë që duhet të paguani në një datë të caktuar. Kolona e dytë përmban numrin rendor të kësteve. Kolona e tretë përmban sa ditë i kanë këstet e caktuara . Kolona e katërt përmban këstin mujor i cili përbëhet nga një pjesë principal dhe një pjesë interes. Kolona e pestë përmban pjesën e shumës së principalit në këstin mujor. Kolona e gjashtë përmban interesin në këstin mujor. Shuma e kolonës së pestë dhe të  jashtë jep kolonën e katërt, pra shumën e këstit mujor. Kolona e fundit pasqyron se sa është shuma e kredisë që ju ka mbetur pa shlyer ende e njohur me emrin kredi aktive e mbetur e cila zvogëlohet muaj pas muaji me pagimin e kësteve ose me shlyerjen e detyrimit.

Egodita.com © 2012 Web Faqe per listimin e patundshmerive ne Kosove dhe Shqiperi / info@egodita.com / 049 GODITE / 049 463-483